Rreth nesh
Situata politike në Shqipëri pas rënies së komunizmit është shënuar nga proçese të ndryshme dhe fenomene sociale, ekonomike, kulturore e politike që shpeshherë përshkruhen mes termit ombrellë “Periudhë e Tranzicionit”. Fillimisht i kuptuar si tranzicion prej sistemit komunist të ekonomisë së planifikuar e të kontrolluar nga shteti drejt sistemit të ekonomisë së tregut të lirë e të sipërmarrjes private, tranzicioni më pas preku thuajse çdo sferë jetike të shoqërisë, komuniteteve që e përbënin, dhe individëve.
Natyrisht që pas dekadave të izolimit total me botën e jashtme, pasi u bë shteti i parë në botë që ndaloi praktikimin e besimit fetar, pas kriminalizimit të homoseksualizmit dhe vendosjes së një regjimi biopolitik që rregullonte deri dhe martesat mes individëve, pas reduktimit të pronës private në fare pak zotërime personale shqiptarët e përjetuan rënien e regjimit totalitar enverist si një çlirim. Frustracionet e krijuara nga imazhet e një bote të lumtur e të pasur perëndimore që u përcollën në Shqipëri mes televizioneve shpërthyen në fillim të viteve ’90 në një mohim të gjithçkaje të trashëguar nga komunizmi, përfshi këtu edhe vlerat pozitive të arsimit, shërbimeve sociale e shëndetësore, apo ato pak ndërmarrje të përbashkëta industriale e agrare që ishin ende në funksionim. Njerëzit e varfëruar prej 15 vjetësh izolim total u hodhën në kundërsulm material, duke shkatërruar pronën e përbashkët, shkollat e spitalet, por shpeshherë dhe në kundërsulm kulturor, gjë që u reflektua tek një mosrespektim i vazhdueshëm i institucioneve të pushtetit, si nga politika, ashtu edhe nga qytetarët.
Që prej fillimit të tranzicionit, në vitin 1991, shqiptarët të dalë prej një periudhe të shtypjes së lirisë së shprehjes dhe të veprimit politik, kërkuan dhe shpresuan vendosjen e një sistemi demokratik. Por partitë e krijuara në atë kohë kryesisht u mblodhën rreth ish-funksionarëve partiakë, dhe që prej fillimit ishin parti apolitike, në sensin që nuk përfaqësonin ndonjë grup homogjen interesash, përkundrazi, përfaqësonin grupe shumëngjyrëshe njerëzish që politikën e perceptonin kryesisht si një mjet për të përfituar sa më shumë pushtet apo para për veten e familjen e tyre. Kjo natyrë pragmatiste dhe klanore vijon të mbetet një tipar karakterizues i politikës shqiptare sot e kësaj dite.
Pas 19 vjetësh të kaluara në këtë gjendje të mjegullt “tranzicionale”, është bërë e qartë tashmë se cili është qëndrimi real i partive politike shqiptare, dhe cili është morali i politikës së bërë deri më tash. Trafikimi i vazhdueshëm i influencës dhe i individualiteteve politike nga njëri krah në tjetrin, sipas interesit, mungesa e konsistencës politike e hasur shpeshherë edhe brenda të njëjtës deklaratë, fokusimi tek spektakli dhe tek aparenca, ndërkohë që përbrenda mbizotërojnë paqartësitë apo qëllimet ngushtësisht personale, makiavelizmi që tashmë është pranuar gjerësisht, e degjenerimi gradual i politikës tashmë janë kthyer në një pengesë të padurueshme për atë pjesë të intelektualëve që prej kohësh përpiqen të shprehin disidencën e tyre aq sa munden nëpër mediat e kontrolluara nga bizneset e nga politika.
Një nga tiparet më negative të barrikadës që politika aktuale i vendos zhvillimit të dëshiruar nga shqiptarët është tipari i saj monolitik, monizmi të cilin partitë edhe pse janë kundërshtare, nuk përpiqen ta maskojnë. Ky monizëm shfaqet hapur sidomos në ndjekjen e praktikave liberale e neo-liberale, në propagandimin e një integrimi ekonomik që do të vinte në rrezik ekonomitë e brishta të fermerëve e sipërmarrësve të vegjël shqiptarë, në tendencën për të privatizuar çdo shërbim publik, apo për të përkeqësuar kushtet e këtyre shërbimeve publike, në mënyrë që privatizimi të bëhet i domosdoshëm (Shqipëria është një ndër vendet me ritëm më të lartë të privatizimit në vendet e lindjes). Varësia e partive aktuale tek bizneset e mëdha kombëtare apo ndërkombëtare ka bërë që interesat e shtresave të mesme e të varfra të popullsisë të mbeten thuajse të papërfaqësuara në nivel lokal apo në nivel vendor.
Në këto kushte, duke konsideruar pozicionimin dy partive të mëdha PD e PS në të djathtë të qendrës, si dy parti të qasjes neoliberale, mbështetëse të taksës së sheshtë, të privatizimit ekstrem, të mosndërhyrjes në rregullat e tregut të lirë, si dhe të hapjes së ekonomisë ndaj çdo lloj tregu global, pavarësisht gatishmërisë që kemi si vend, lindi nevoja e shprehjes së kritikës politike.
Instituti Antonio Gramshi (IAG) lindi në Tetor të 2009, si një iniciativë e disa intelektualëve me eksperienca të mëparshme në politikë, shoqëri civile, media etj. Ky institut ka për synim studimin dhe monitorimin e politikës shqiptare dhe denoncimin e sjelljeve e iniciativave që do të dëmtonin interesat e shtresës së mesme e të varfër të Shqipërisë. Që prej krijimit të vet IAG boton të përjavshmen GAZETA, tek e cila është krijuar hapësira e munguar në median shqiptare për mendimin e lirë intelektual, për analiza më të thella e më kritike të shoqërisë nga ç’mund të lejojë mass-media komerçiale. IAG në rolin e vet si institut studiues i politikës planifikon të jetë edhe propozues i strategjive politike, apo ligjore në ndihmë të komuniteteve të caktuara, apo të shtresave të mesme e të varfra shoqërore. Aktiviteti kulturor i IAG konsiston në demonstrimin e vlerave intelektuale të shqiptarëve nëpërmjet publikimit të veprave të tyre, dhe njëkohësisht në përkthimin e disa prej autorëve të huaj që ende nuk janë botuar në shqip pasi nuk e “lejon tregu”.
Disa nga projektet e ardhshme që IAG po planifikon të ndërtojë është stabilizimi i një studioje ligjore “Pro Bono” që do të ofrojë gratis këshillim e mbrojtje për individë e grupe në kushte të disfavorshme ekonomike, zhvillimi i një serie seminaresh të përdyjavshme mbi tema specifike të politikës e shoqërisë, me synim zhvendosjen e diskutimit nga lufta spektakolare e pushtetit drejt këtyre temave më të rëndësishme për qytetarët, studimi, përkthimi e botimi i një serie autorësh të filozofisë politike, ekonomike e sociologjike të majtë, zhvillimi i një sërë studimesh mbi fenomene të ndryshme në shoqërinë shqiptare, etj.
Strategjia e IAG është të lidhë kontakte me intelektualë shqiptarë e të huaj, me institute e organizata të ngjashme, si dhe me parti politike të cilitdo vendi që ndajnë parime e qëndrime të përbashkëta, e që do të bënin të mundur bashkëpunimin, krijimin e aleancave e rrjeteve sociale e politike, dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe informacionit, në emër të solidaritetit shoqëror dhe të miqësisë.
comment closed